Një pikë më shumë, një avantazh për të mbrojtur, ose më saktë për ta thelluar duke shfrytëzuar faktorin fushë. Në Premier po mbërrin dita e ditëve, ajo e sfidës mes dy skuadrave më të forta të Anglisë.
Mund të themi edhe më shumë, sfida mes ekipeve sot më të forta në botë, më të pasura, më të organizuara, më të bukura, më të pasurat me kampionë, të cilat do të thirren përballë njëra-tjetrës jo vetëm në atdhe, por ndoshta edhe në Europë.
Dhe City -Liverpooli nuk mund të shkëputet nga Guardiola kundër Klopit, dy trajnerët ndoshta më të mirët në qarkullim sot për sot. Gjithçka gati në “Etihad” nesër, edhe pse Pep refuzon etiketën e trajnerit më të mirë në botë që kolegu i vendosi të premten në konferencë:
“Jo, nuk jam unë më i miri dhe nuk më intereson që të jem. Falënderoj Klopin, por e bëj këtë detyrë për pasion dhe jo për të marrë këto etiketime. Edhe numri i trofeve nuk është se më prek shumë. Ajo që më entuziazmon është rruga përmes së cilës shkohet te fitorja”. Siti 73 pikë, Liverpuli 72: ndoshta jo vendimtare, ashtu siç trajnerët preferojnë të thonë, por me një peshë të jashtëzakonshme.
Në çdo rast, dhe nga këtu do të dalë kampionia e re e Anglisë (SitiLiverpul luajnë edhe biletën në finalen e Kupës FA dhe ndoshta edhe asaj të Ligës së Kampioneve):
“Jyrgen është sigurisht rivali im kryesor (jo vetëm në Angli) dhe konkurrenca jonë na ka bërë mirë neve dhe futbollit”. Menaxheri katalanas largon edhe zërat për uljen e tij në stolin e Brazilit pas Botërorit dhe i premton dashuri të përjetshme Cityt. “A e keni parë Pep Guardiolën kaq të qetë ndonjëherë?”, analizonte “DailyMail” konferencën e 51-vjeçarit.