Java e 28-të në Abissnet Superiore vazhdon sot me duelin Skënderbeu-Tirana. Në Korçë do të përballen dy “ekstremet” e renditjes, sfidë që fillon në orën 16:45 dhe do të transmetohet në Supersport 3.
Bardheblutë e Orges Shehit kanë shënuar vetëm një gol në dy takimet e fundit, por Laçi ndjekës është shumë larg dhe një fitore në transfertën juglindore do e çonte diferencën në 16 pikë.
Titulli i 26-të në histori është siguruar, por vetëm matematika nuk lejon kryeqytetasit të nisin festën. Triumfi i fundit i Tiranës në stadiumin e Korçës daton më 28 qershor të vitit 2020 (1-2).
Në krahun tjetër Skënderbeu, që me Skënder Gegën në stol ka siguruar tre barazime në po kaq ndeshje. Korçarët nuk fitojnë prej 13 ndeshjesh në kampionat. Suksesi i fundit është regjistruar 18 dhjetorin e vitit të kaluar kundër Kastriotit (2-1).
Ekipi juglindor mbyll renditjen e Superiores me 20 pikë. Kastrioti i vendit të tetë është 11 pikë larg, por në Korçë nuk janë dorëzuar dhe shpresojnë të arrijnë një fitore shprese përballë ekipit kryesues, mision aspak i lehtë për djemtë e Gegës.