Manchester United investon në mënyrë sistematike në merkato, por rezultatet pozitive po mungojnë në “Old Trafford”. Titulli i fundit u fitua në vitin 2013, ndërsa trofeu i fundit (Europa League) daton pesë vite më parë.
Rio Ferdinand ka analizuar kaosin që mbretëron tek ekipi i Ralf Rangnick, që përballë Everton regjistroi humbjen e tetë sezonale në Premier League, duke mbetur në vend të shtatë.
“Pasiguria ndikon negativisht në çdo klub, sidomos në një klub të madh si Manchester United. Skuadra duhet të jetë më e organizuar, ka nevojë për një menaxher të mirë.
Një trajner i përkohshëm nuk është pjesë e planeve afatgjata, por ne jemi këtu ku jemi, ndaj do të duhet ta pranojmë këtë situatë. Siç e tha edhe vetë Rangnick, nuk ka asnjë justifikim.
Klubi ka shumë për të bërë, është një post në Champions League që ende mund të arrihet. Njerëzit shpreheshin se United i Solskjaer nuk kishte asnjë stil apo filozofi loje.
Ky është shkaku pse ai nuk ndodhet më këtu. Ama, nuk mund të them që ekipi momental ka stil loje. Sinqerisht që nuk mund të them se si luan Manchester United.
Nuk ka strukturë fare, nuk ekziston loja. Të them të vërtetën, ekipi më duket totalisht i humbur: pa stil dhe pa identitet”, theksoi ish-mbrojtësi i njohur i “Djajve të Kuq”.