Trajneri i Villarrealit, Unai Emery, komenton arritjen e madhe, gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, pasi barazoi 1-1 në “Allianz Arena”, ndërsa e kishte fituar minimalisht çerekfinalen e parë në shtëpi:
“Këtë edicion, bavarezët fituan 5-0 me Benfica dhe Dinamon e Kievit, 7-1 me Salzburgun, fituan qartë me Barcelonën. Pra, kanë qenë gjithmonë dërrmues. Ne u përpoqëm të punonim për ta parandaluar këtë rrezik.
A mund të përsëritim veprën e Portos së drejtuar nga Mourinho? Ne besojmë në rrugën tone. Qartësisht, ajo që ka bërë Mourinho është mbresëlënëse, na frymëzon. Le të shijojmë rrugën tonë, duhet ta jetojmë gjysmëfinalen e Champions League në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Barazimi i mbrëmshëm në Mynih e lejoi Villarrealin e Unai Emery të arrinte në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Skuadra spanjolle e ka arritur këtë moment historik për herë të dytë në historinë e vet.
“Nëndetësja e Verdhë” e kishte arritur këtë “stacion” vetëm në sezonin 2005-2006, kur Arsenali theu ëndrrën e djemve të Manuel Pellegrinit. Për ish-trajnerin e Sevilla, PSG-së dhe Arsenalit, megjithatë, kjo është gjysmëfinalja e parë në kompeticionin më të lartë evropian të klubeve, pasi ka dështuar në tentativat e mëparshme.