Hakim Ziyech është drejt rikthimit te përfaqësuesja e Marokut, në prag të Kupës së Botës Katar 2022. Kur dukej se fantazisti e kishte mbyllur me kombëtaren, pas një sherri me trajnerin Valid Halilhoxhiq, ka qenë presidenti i Federatës ai që i ka hapur dyert rikthimit.
Duke folur për mediat vendase, presidenti Fouzi Lekjaa u shpreh se askush nuk mund të ndalojë një maroken të luajë për përfaqësuesen e tij, qoftë ky Ziyech, apo ndonjë emër tjetër.
“Dyert për Ziyech janë të hapura në kombëtare, pasi askush nuk mund të ndalojë një maroken, të përfaqësojë vendin e tij. Mendoj se ai do të rikthehet sërish të japë kontributin e tij në fushë me fanellën e vendin të tij”, u shpreh kreu i Federatës Marokene të Futbollit.
Në qershorin e vitit të kaluar, Ziyech u largua nga grumbullimi pas një sherri me trajnerin boshnjak Valid Halilhodzic, teksa ky i fundit e akuzoi fantazistin e Chelsea-t për mungesë respekti në komunikimin me trajnerin dhe shokët e ekipit.
Megjithatë duket se edhe e ardhmja e Halilhodzic në pankinën e Marokut nuk duket e sigurt, pasi federata po studion një tjetër alternativë, që të drejtojë ekipin në Botërorin Katar 2022, që do të startojë në nëntor të këtij viti.