Romelu Lukaku i ka të qarta idetë në lidhje me karrierën e tij. Sulmuesi belg nuk po kalon një moment të mirë te Chelsea, klub me të cilin ka kontratë deri në 2026, teksa në verë mund të nisë një tjetër aventurë.
Gjithsesi, 28-vjeçari e di shumë mirë se ku do i kalojë vitet e fundit si futbollist. Lukaku ka marrë pjesë në një speciale që FIFA ka përgatitur për sektorin e të rinjve të Anderlecht, klubit të famshëm belg.
“Lojtari që jam sot është lojtari që Jean Kindermans (drejtori i akademisë së Anderlecht) pa tek unë. Më parë zbuloheshin një ose dy talente, por pas meje ky numër u rrit në 3-4 talente në vit. Do të mbyll karrierën në klubin ku nisi rrugëtimi im.
Anderlecht ka qenë gjithmonë klubi im i zemrës, gjithmonë kam qenë një tifoz i kësaj skuadre. Ëndrra ime u bë realitet falë tyre. Anderlecht është shtëpia ime dhe vendi ku marr dashuri pafund”, deklaroi Lukaku.
Sulmuesi potent ishte vetëm 16 vjeç kur nënshkroi kontratën e parë si profesionist me Anderlecht, ndërsa më pas erdhën aventurat me Chelsea, WBA, Everton, Manchester United, Inter dhe sërish Chelsea.