Ancelotti nuk përmbahet

Futboll

Ancelotti nuk përmbahet

Më: 16 prill 2022 Në ora: 15:04
Ancelotti nuk përmbahet

“Barça është klubi më i vështirë dhe më kërkues në botë. Ne kemi detyrimin të fitojmë dhe të luajmë mirë. Nuk na mjafton ta bëjmë golin në minutën e 90-të dhe 1-0″, – tha Xavi Hernández në konferencën për shtyp, para Barça-Eintracht.

Fjalët e trajnerit Blaugrana nuk u pëlqyen në kryeqytetin spanjoll. Disa tifozë të Real Madridit i kuptuan deklaratat si një mesazh për skuadrën e Carlo Ancelottit, e cila kishte vuajtur shumë për të eliminuar Chelsea në 1/16. Këtë të shtunë trajneri italian u kundërpërgjigj:

“Unë do të doja të përgjigjesha me një pyetje. Çfarë do të thotë të luash mirë? Të gjithë kanë mendimin e tyre. Për mua, të luash mirë është të bësh mirë edhe kur ke topin, edhe kur nuk e ke. Të mbrohesh mirë nuk është sinonim i të luajturit mirë nëse lojtarët nuk dinë çfarë të bëjnë kur kanë topin. Dhe anasjelltas.

Futbolli është sulm dhe mbrojtje. Ka shumë mënyra për t’u mbrojtur: me një bllok presioni të ulët, të mesëm ose të lartë. Kështu e kuptoj unë futbollin dhe askush nuk do të më bëjë të ndryshoj mendje për sa kohë që rregullat nuk ndryshojnë. Atlético Madrid, për shembull, u mbrojt shumë, shumë mirë në ndeshjen e parë kundër Manchester City.

Të gjitha ekipet janë të vështira për t’u trajnuar. Çdo ekip ka kërkesat e veta: të fitojë tituj, të luajë mirë, të shmangë rënien… Stërvitja nuk është e lehtë. Është e vështirë, por është një punë që na pëlqen ta bëjmë”.

Trajneri i Real Madridit, megjithatë, ka siguruar se e sheh ekipin e tij të fokusuar në atë që mund të ketë nën kontroll: “Ne kemi një objektiv shumë të rëndësishëm dhe jemi të fokusuar në misionin tonë. Për mua ka rëndësi që skuadra të luftojë për të fituar tituj. Realiteti është ky. Secili është i lirë të thotë çfarë të dojë. La Liga nuk ka përfunduar, ndaj duhet të vazhdojmë të fitojmë”.

Ai e ka krahasuar Modric, një “legjendë” e futbollit, me Maldinin, i cili fitoi Champions League e fundit në moshën 40-vjeçare: “Nëse do të më duhej ta krahasoja me dikë, do të ishte me Paolon. Kjo për cilësinë, për seriozitetin, për mënyrën sesi e kupton futbollin… Janë të dy legjenda.

Mendoj se Luka do ta mbyllë karrierën këtu. Nuk e di kur, por kjo është ideja e të gjithëve. Kujdeset shumë për veten, në karrierën e tij nuk ka pasur ndonjë dëmtim të madh dhe kjo e ndihmon shumë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat