Edon Zhegrova ka nisur ta tregojë veten te klubi i ri, Lille.
Kampioni francez po çalon këtë edicion në ligë, megjithatë një yll i ri po lind aty. Bëhet fjalë për talentin e Kosovës, Edon Zhegrova i cili ka filluar të bëhet prej futbollistëve kryesorë në klub.
Ai ka bërë asist fantastik në golin e vetëm të Lille në humbjen 1:2 ndaj Lens. Ndërkohë, paraprakisht në barazimin 1:1 ndaj Angers, Edon Zhegrova shënoi një gol spektakolar nga distanca.
Zhegrova qysh tani ka fituar zemrat e tifozëve të Lille, të cilët janë të zhgënjyer me klubin në këtë edicion. Sezonin e kaluar, Lille u shpall kampion i Francës, duke u renditur në vendin e parë, para Paris Saint-Germain.
Ndërsa, këtë sezon, Lille gjendet në vendin e tetë, me pak gjasa për t’i arritur vendet që dërgojnë në garat evropiane, ku kanë mbetur edhe gjashtë xhiro për t’u zhvilluar.
Ka nga ata tifozë që nga zhgënjimi i madh, thonë se do të vijnë në stadium vetëm për yllin kosovar.
“Zotëri Zhegrova, ne do të vazhdojmë të vijmë në stadium vetëm për ty”, thotë njëri tifoz në Twitter.