COVID-19 rikthehet në skuadrën e futbollistit shqiptar, dy lojtarë në izolim

Futboll

COVID-19 rikthehet në skuadrën e futbollistit shqiptar, dy lojtarë në izolim

Më: 18 prill 2022 Në ora: 21:15
Spezia

Edhe pse tashmë falë njohjes së sëmundjes, por edhe vaksinave, COVID-19 nuk tremb më si në fillimet e tij, sërish virusi mbetet në qarkullim dhe herë pas herë ia del të bëhet protagonist.

Së fundmi, klubi i Spezia në Serie A, ku aktivizohet edhe sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, Rey Manaj ka konfirmuar dy futbollistë të cilët kanë rezultuar të infektuar dhe që janë izoluar ndërkohë që gëzojnë një gjendje të mirë shëndetësore.

Në klubin e Spezias të gjithë janë të vaksinuar, megjithatë virusi sërish ka “ndërhyrë” duke lënë një shije të hidhur pasi pjesa tjetër e organikës është detyruar të qëndrojë nën vëzhgim në rast se shfaq simptoma.

Sakaq, klubi ka preferuar të mos zbulojë emrat e dy lojtarëve të infektuar ndërkohë që shpreson t’i ketë të gatshëm për ndeshjen e radhës në kampionat atë ndaj Torinos në transfertë më datë 23 prill.

Skuadra e Manaj në këtë sezon është shumë pranë arritjes së objektivit për të qëndruar në elitën e futbollit italian, ndërsa lushnjari është një nga elementët më të rëndësishëm për trajnerin Thiago Motta teksa realizuar katër gola.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat