Interi do të presë sot në “San Siro” Milanin për ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë, një ndeshje që do të përcaktojë finalisten e parë të kompeticionit, pasi 90 minutat e para përfunduan në barazim pa gola.
Zikaltrit e dinë se nuk do ta kenë të thjeshtë, për më tepër në një sezon ku është ende në fuqi goli në fushë kundërshtare që mund të përcaktojë fatin e gjithsecilës. Duke lënë mënjanë golin që mund të kushtojë, binomi Milan-gjysmëfinale është një nga kombinimet më të frikshëm për Interin në mijëvjeçarin e ri.
Kur kuqezinjtë kanë qenë pengesa e Interit në sfidat me eliminim direkt, zikaltrit kanë dalë kokulur dhe më i dhimbshmi ngelet ende precedenti i gjysmëfinales së Champions League në 2003-shin, kur “Djalli” siguronte finalen që do t’i dhuronte më pas edhe trofeun.
Edhe atëherë një gjysmëfinale, ashtu si tani, por në Kupën e Italisë, e keqja e zikaltërve nuk janë “kushërinjtë”, por pikërisht kjo fazë.
Ky kompeticion është kthyer në tabu për skuadrën e Inzagit që e ka parë veten jashtë tij të katërta herët që ka arritur deri në këtë pikë. Në 2013-ën ishte Roma që i fitoi të dyja ndeshjet fillimisht me rezultatin 2-1 e më vonë me atë 0-3. Në 2016-ën Juventusi u duk se i mbylli hesapet në ndeshjen e parë me fitoren 3-0, por në kthim dopieta e Brozoviçit e Perisiçit e detyruan kualifikimin të vendosej nga ruleta e penalltive, që u buzëqeshi bardhezinjve.
Edhe 4 vite më vonë Interi do të kthehej duarbosh në shtëpi, pasi në sfidën e dyfishtë me Napolin humbja 0-1 dhe barazimi 1-1 në gjysmëfinalen e kthimit, nuk e lejuan të prekte finalen. Vetëm një vit më vonë, ishte përsëri Juventusi që do t’i dhuronte një tjetër zhgënjim skuadrës së drejtuar nga Konte, që do e shikonte veten përsëri jashtë, pas humbjes 1-2 në shtëpi dhe barazimit pa gola në kthim.
Katër herë e ka prekur gjysmëfinalen Interi dekadën e fundit dhe të katërta herët nuk ka arritur të shkojë më tej. Sot, Interi ka një motiv më tepër në fushë, të rishkruajë historinë kundër armiqve Milan në gjysmëfinale.