Duke bërë mirë në Kupën e Italisë, mund ta kompensojë gabimet e kampionatit. Juventusi e ka të qartë objektivin për mbrëmjen e sotme, kur në stadiumin “Allianz” do të zhvillohet akti i dytë gjysmëfinal kundër Fiorentinës.
Bardhezinjtë janë në epërsi, falë autogolit fatkeq të nënshkruar nga Venuti, në gjysmëfinalen e parë të luajtur në “Franchi”. Kjo i detyron vjollcët të fitojnë në Torino me të paktën dy gola për të festuar kualifikimin për në finale ndaj Interit, i freskët nga triumfi 3-0 kundër Milanit.
Momente të kundërta për dy skuadrat: nëse toskanët shijojnë erën në velat e tyre dhe ëndërrojnë një vend në kompeticionet evropiane, piemontezët lëpijnë plagët e tyre pas një rasti tjetër të humbur, që përkon me barazimin zhgënjyes 1-1 ndaj Bologna.
Siç u njoftua në konferencën për shtyp, Allegri do t’i japë hapësirë Perin mes shtyllave dhe Bonuccit në qendër të mbrojtjes, çift me De Ligt, ndërsa De Sciglio dhe Alex Sandro do të luajnë si mbrojtës të krahut. Bernardeschi dhe Rabiot në korsitë e jashtme, konfirmim në mesfushë për Danilo dhe Zakaria. Përballë tandemit Vlahovic-Morata, argjentinasi Dybala do ta nisë nga pankina.
Italiano do të duhet të heqë dorë nga Castrovilli, i freskët nga dëmtimi, që e përfundoi sezonin e tij para kohe. Duncan, Maleh dhe Torreira në mesfushë, Nico Gonzalez dhe Saponara në mbështetje të sulmuesit qendror, Cabral. Në prapavijë, Milenkovic, Igor dhe Biraghi për të mbrojtur portën e Terraccianos.
Ja formacionet e mundshme:
JUVENTUS (4-4-2): Perin; De Sciglio, Bonucci, De Ligt, Alex Sandro; Bernardeschi, Zakaria, Danilo, Rabiot; Vlahovic, Morata.
FIORENTINA (4-3-3): Terracciano; Venuti, Milenkovic, Igor, Biraghi; Maleh, Torreira, Duncan; Nico Gonzalez, Cabral, Saponara.