Dje Partizani u kthye në stërvitje për të përgatitur një tjetër finale për fatet e sezonit, ku përballë do të jetë sërish Vllaznia.
Në seancën e djeshme ishte i gjithë grupi i lojtarëve, me Albion Markun, që i ka kaluar problemet dhe pritet titullar të shtunën.
Stërvitja nisi në orën 11:15, teksa disa nga të rinjtë e marrë nga ekipi U-21 si Zuna, Hodo, Buxhelaj apo Burgaj, kishin zbarkuar në fushë para të gjithëve dhe po ushtroheshin me kuadrate.
Më pas i gjithë ekipi iu bashkua atyre dhe u vendosën nën urdhrat e trajnerit Mehmeti.
Presioni për lojtarët është i madh dhe përveç pjesës taktike dhe fizike, trajnerit i lind edhe detyra e vështirë të përgatisë ekipin e tij nga ana emocionale për këtë ndeshje.