Tashmë nuk ka më dyshime për menaxherin e sezonit të ardhshëm të Manchester United. Djajtë e Kuq kanë përzgjedhur Erik Ten Hag, me holandezin që do të vihet në krye të skuadrës sapo të mbyllë eksperiencën me Ajax në fundin e këtij sezoni.
Ten Hag ka firmosur për një kontratë deri në vitin 2026 me anglezët të cilët do t’i besojnë rigjenerimin e skuadrës dhe rikthimin e saj në mundësitë për të konkurruar denjësisht në Premier League dhe Europë.
Së fundmi komplimentat për detyrën e re, holandezi i ka marrë edhe nga kolegu Pep Guardiola me të cilin ka punuar te Bayern Munich si asistent i spanjollit.
“Është një menaxher me shumë cilësi, është nga më të mirët dhe është gjithnjë një kënaqësi të shohësh futbollin që aplikojnë skuadrat e tij. Mjafton të shohësh Ajaxin dhe e kupton”, u shpreh Guardiola.