Me titullin numër 26 që mbetet një formalitet në këtë sezon, një nga objektivat e Tiranës është të ruajë organikën për sezonin e ardhshëm teksa trajneri Orges Shehi dhe drejtuesit bardheblu kërkojnë të konfirmohen si skuadra pretendente.
Në këtë formë, kryeqytetasit kanë njoftuar rinovimin e kontratës me një nga lojtarët kryesorë të formacionit titullar.
Fjala është për kapitenin Erjon Hoxhallari, kontrata e të cilit skadonte në fundin e muajit maj.
Por, tashmë mbrojtësi 26-vjeçar pjesë e kombëtares është bindur nga presidenti Refik Halili dhe do të vazhdojë eksperiencën me Tiranën, pjesë e të cilës është prej vitit 2011. Tirana kërkon gjithashtu të bëjë paraqitje dinjitoze në Kupat e Europës dhe për këtë ka nevojën të ruajë të gjithë elementët e vlefshëm.