Kombëtarja e Kosovës U17 i ka humbur shpresat për kualifikim në Evropianin e këtij viti, pasi ka pësuar humbje edhe në ndeshjen e dytë të rrethit elitë të kualifikimeve që po zhvillohen në Itali. Pas humbjes nga Ukraina, Dardanët U17 janë mundur nga skuadra nikoqire, Italia, me rezultat të ngushtë, 1:0.
Pjesa e parë ishte mjaft e mirë me duele të forta, por nuk pati konkretizime ngase asnjëra palë nuk arriti të rrezikojë portat rivale. Por, gjithsesi u tregua lojë cilësore dhe kjo pjesë u përmbyllë pa gola. Kaptinën e dytë të ndeshjes futbollistët tanë e nisën më gjallë dhe krijuan disa raste shënimi por pa sukses.
Edhe italianët sulmuan, madje në minutën e 53-të, po të mos ishte mbrojtja bravuroze e Gjokajt, Serra i Italisë do të shënonte. Në minutën e 73-të Arjol Bllaca e preku lehtë Malspinan, ndërsa gjyqtari Rob Hennessy tregoi në pikë e bardhë. Nga penalltia i saktë u tregua Alessandro Bolzano, duke ia siguruar fitoren Italisë, 1:0.
Djemtë tanë në këtë ndeshje luftuan me shpirt e zemër sepse e dëshiruan shumë fitoren, e mbase edhe kjo dëshirë e madhe ndikoi. Gjithsesi ata duhet të jenë të kënaqur me lojën e shfaqur dhe me karakterin e fortë përballë një ekipi shumë të fortë si Italia.
Me këtë fitore Italia e ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit në Evropian, pasi ka 6 pikë pas dy ndeshjeve. Ndërkaq, ndeshjen e radhës dhe të fundit Kombëtarja janë U17 do ta zhvillojë më 26 prill kundër Polonisë.
Arsim Abazi, përzgjedhës, tha: "I përgëzoj djemtë për angazhim dhe karakterin që treguan në këtë ndeshje, në të cilën ne kishim më shumë nga loja. Ishte një ndeshje e fortë, ku futbollistë i zbatuan mirë detyrat dhe ishim afër barazimit për të mos thënë se kemi mundur të fitojmë.
Na penalizoi një penallti, që pa dashur të ndërhyjë në ndarjen e drejtësisë, për mua ishte shumë e dyshimtë. Gjithsesi, ne, duhet të shkojmë tutje në ndeshjen tjetër".
Italia – Kosova 1:0 (0:0)
Stadiumi: Stadiumi i qytetit “Stefano Lotti”, Poggibonisi
Shikues: 300
Gjyqtarë: Rob Hennessy (IRL), Christopher Campbell (IRL), Ferencez Tuyogy (ROU) dhe Mrian Alexandru Barbu (ROU)
Shënues: Bolzano (75′-pen) ITA
Kartonë të verdhë: Lipani (Ita) – Lokaj (Kos).
Italia: Magro, Serra, Domanico, Chiarodia, Lipani, Di Maggio, Delle Monache (Vacca), Milani (Salani), Parravicini (Onofrietti), Bolazano (Misitano) dhe Bruno.
Kosova: Gjokaj, Sahini, Sylaj Bllaca(Luma), Jashari, Bashota (Muji), Krasniqi, Ahmeti, Fazlija, Kajtazi dhe Marku (Lokaj).