Pas tre humbjeve radhazi, Atalanta u rikthye te pikët e plota pas suksesit në transfertë ndaj Venezias me rezultatin 1-3. Një fitore e cila i rikthen bergamaskët në garën për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës sezonin ardhshëm, ndërsa një nga liderët e skuadrës italiane, Berat Djimsiti theksoi se situata në skuadër nuk ka qenë e lehtë pas humbjeve radhazi.
Mbrojtësi i kombëtares foli për faqen zyrtare të Atalantës, ndërsa shtoi se tashmë ekipi është më i qetë dhe ndeshjet duhet t’i marrë me radhë për të mbledhur sa më shumë pikë deri në fundin e sezonit.
“Fitorja na mungonte prej kohësh, duhej të merrnim pikët e plota ndaj Venezias dhe ia dolëm. Për 75 minuta kemi luajtur mirë dhe ishte e rëndësishme që skuadra të rikthehej të goli, kishim një periudhë negative dhe nuk ishte e lehtë të fitonim.
Europa? E rëndësishme ishte ta kalonim me sukses transfertën e Venezias, tani duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Fitorja sjell besim dhe në fund të sezonit do të shohim se ku mund të mbërrijmë”, u shpreh Gjimshiti.