Asnjëherë banal, vullkanik dhe i pëlqen të argëtohet me lojtarët e tij. Ky është Jyrgen Klop. E shfaq çdo javë në Premier Ligë dhe në Champions: fitoi në 2019-ën dhe humbi finalen e 2018-ës.
Për trajnerin gjerman gjëja më e rëndësishme është të provosh deri në fund dhe të mos reshtësh së argëtuari edhe gjatë një ndeshjeje për jetë a vdekje. Kështu ndodhi edhe pak orë përpara finales kundër Realit të Zidanit 4 vite më parë.
Ish-mesfushori i Liverpulit, Xhini Vajnaldum, zbuloi vite më parë se për të larguar tensionin nga finalja e Kievit në 2018-ën, gjermani veshi të mbathurat e markës “CR7”:
“E përgatit ndeshjen me këmishën e futur nën bokserat e CR7. E gjithë skuadra përfundoi në dysheme duke qeshur me të madhe”. Dhe pas deklaratës së holandezit vjen edhe konfirmimi nga trajneri:
“Disa vite më parë ndodhi që bleva të mbathura dhe mora ato nga rafti i Ronaldos. I kam ende, por nuk i kam veshur më. Gjatë finales i vesha dhe gjatë stërvitjes i mbajta pak më lartë, gati në kraharor. Ishte argëtuese”.
Vëmendja e tij është te derbi i së dielës kundër Evertonit në “Anfield”, ku Liverpuli nuk mund të humbasë pikë, përndryshe titulli i rrëshqet nga duart dhe merr fund edhe ëndrra për të fituar katër trofetë:
“Është një situatë që nuk prisnim të ishim. Por na pëlqen shumë që jemi. Është shumë e vështirë, sepse luajmë shumë ndeshje gjatë një sezoni.
Por e dimë që nuk kemi arritur asgjë deri tani. Kemi fituar një trofe, shkëlqyeshëm. Por kemi ende tre të tjerë. Djemtë janë në formë dhe mezi po e presim të dielën”.
Derbi është gjithnjë special dhe gjermani shtoi se do t’i mungonte në rast se Evertoni bie këtë sezon.