Egnatia do të jetë e plotë për transfertën e Korçës dhe pa dyshim ky është një lajm i mirë për trajnerin Zekirija Ramadani, që të dielën luajnë një finale mbijetese ndaj Skënderbeut.
Golashënuesi më i mirë i ekipit, Pedro Augusto, ishte i pezulluar nga kartonët ndaj Tiranës dhe rikthimi i tij shikohet si një “armë” më shumë për Egnatian për të marrë një rezultat pozitiv në Korçë.
Trajneri Ramadani gjatë javës stërvitore i ka udhëzuar të tijtë që të ruajnë qetësinë dhe të kontrollojnë nervat në këtë duel kaq delikat për fatet e sezonit të Egnatias.
Në kampin rrogozhinas të gjithë shprehen besimplotë se nga Korça do të largohen me rezultat pozitiv.
Duket se përvoja e fituar tashmë në transferta si ndaj Partizanit, Vllaznisë, Laçit dhe Teutës ka bërë që i gjithë grupi të udhëtojë drejt Korçës me besim e shpresë.
Ekipi e ka marrë të takim me qetësi dhe larg deklaratave të bujshme mediatike, pasi duan të flasin në fushën e lojës.