Tirana humbi 0-1 përballë Kastriotit, duke i dhënë fund pathyeshmërisë prej 8 ndeshjesh radhazi. Gjithsesi, bardheblutë nuk e rrezikojnë aspak “fronin”, teksa trajneri Orges Shehi preku disa tema gjatë prononcimit për “Gol pas Goli” në Supersport.
“Është një humbje që të mërzit, por i tillë është futbolli, ta pranojmë. Komplimente kundërshtarit. Ishim disi të lehtë te pësimi i golit. Nuk duhet t’i jepnim shansin kundërshtarit të kalonte në avantazh, u bë më e vështirë çarja e tyre.
Mungesat e Hoxhallarit dhe Hotit na penalizuan, sidomos i pari, i cili është pikënisja jonë e aksioneve, përveçse është kapiteni i ekipit. Hoti mund të na ndihmonte me një goditje nga larg, është i rrezikshëm në 20 metrat e fundit. Komplimente për Qefalinë, po rritet nga dita në ditë.
Kastrioti meriton komplimente për shpirtin e garës dhe vendosjen në fushë. Po na kthehen si mace e zezë, por po të luanim në ‘Air Albania’ do të ishte një panoramë tjetër.
Devid? I duhet një kohë përshtatjeje, ndryshon mënyra e lojës, skuadra dhe objektivat. I kemi piketuar repartet ku duam të përmirësohemi. Na duhen përforcime, na duhen lojtarë që zgjidhin situatën kur kundërshtarët mbrohen me shumë forca.
Bekaj do largohet? Kemi bërë kampionat shumë të mirë, sigurisht që ka oferta, por nuk është asgjë në parametrat që të kënaqet klubi. Nuk është ndonjë ofertë serioze, mendoj se nuk do të largohet nga skuadra”, theksoi trajneri i ekipit kryesues.