Federata Shqiptare e Futbollit po përgatitet të sjellë një tjetër turne zhvillimor për mosha të UEFA-s në Shqipëri. Bëhet fjalë për organizimin e ndeshjeve të turneut UEFA Development U-16 për femra që do të zhvillohet në vendin tonë në datat 3-8 maj.
Siç është bërë e ditur edhe më herët, përveç Shqipërisë, në këtë turne do të marrin pjesë edhe tre skuadra të tjera femrash, ndër të cilat Kosova U-16, Mali i Zi U-16 dhe Kazakistani U-16. Të gjitha ndeshjet e këtij turneu do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Agustin Kola do të nisë që prej ditës së premte grumbullimin në Kompleksin “Tropikal” në Durrës, ku do të zhvillojë edhe seancat stërvitore, ndërsa ditën e sotme, tekniku kuqezi ka bërë publike listën me 24 futbollistet e ftuara që do të përfaësojnë Shqipërinë në këtë turne.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/26/auto_41650970269.jpg)
Nisja e kampionatit U-16 për femra në shkurt të këtij viti i ka dhënë mundësi trajnerit Agustin Kola dhe stafit kuqezi të shikojnë nga afër talentet e reja që janë një potencial mjaft i mirë për të ardhmen. Kola ka vendosur të thërrasë në këtë grumbullim 22 lojtare që aktivizohen në kampionatin vendas, si edhe dy futbolliste shqiptare që aktivizohen në kampionatet e tjera, si Halime Krasniqi, e cila luan me Malishevën ne Kosovë dhe Era Methoxhën, në Gjermani.
Turneu do të nisë më 3 maj, me ndeshjen e parë Shqipëri – Mal i Zi, ndërsa ndeshja e dytë do të jetë ndaj Kosovës më 5 maj. Sfida e tretë dhe e fundit e vajzave kuqezi do të jetë ajo ndaj Kazakistanit më 8 maj.