Mesfushori i Chelseat, Jorginho, humbi penalltinë e tij në ndeshjen e fundit kundër skuadrës së West Ham United, dhe fajin për këtë gjë ylli italian ia ka lënë VAR-it.
Jorginho ka insistuar që ishte e vështirë për tu fokusuar gjatë kohës sa ishte duke u rishikuar rasti nga VAR-i.
Mesfushori italian dështoi që ta dërgojë në epërsi Chelsean duke humbur penalltinë në minutën e 87’, ku më pas një gol nga Christian Pulisic ia siguroi skuadrës së Thomas Tuchel tre pikët ndaj “Çekanëve”.
Pavarësisht golit të fitores nga Pulisic, Jorginho është ende i dëshpëruar që nuk shënoi nga pika e bardhë, ku e pranoi që nuk është ndjenjë e mirë dhe e fajësoi VAR-in për humbje të përqendrimit.
“Ky lloj presioni, veçanërisht në ndeshje të këtilla ku duhet ta sigurosh fitoren në minutat e fundit dhe mundohesh që ta izolosh mendjen nga i gjithë presioni që ke edhe pse është e vështirë, dhe pastaj kemi VAR-in që vonon, kështu që është e vështirë të fokusohesh”, tha Jorginho për “Sky Sports”.
“Ajo çfarë duhet të bësh, dhe ajo se çfarë mundohem unë të bëjë është që izoloj mendjen time nga i gjithë presioni, por fatkeqësisht kësaj radhe nuk funksionoi”, shtoi më tej mesfushori italian.
Ndërkaq, trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, e ka përkrahur Jorginhon pavarësisht penalltisë së humbur, duke e inkurajuar atë që të gjuaj penalltitë e ardhshme si të dojë ai.