Kombëtarja shqiptare U-16 ka zhvilluar sot një seleksionim me lojtarë të vitlindjes 2007, të cilët aspirojnë për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave në të ardhmen.
Në këtë seleksionim të zhvilluar në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz morën pjesë 30 futbollistë, nga të cilat pjesa më e madhe aktivizohen në kampionatin vendas, ndërsa kishte edhe disa që kishin ardhur posaçërisht nga jashtë për t’u testuar me kuqezinjtë.
Nën urdhrat e trajnerit Agron Kërçova skuadra ka zhvilluar teste të ndryshme stërvitore dhe taktike, ndërkohë që gjithçka është monitoruar nga trajnerë të ekipeve Kombëtare U-17, U-18 si edhe specialistë të Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF.
Pas ushtrimeve tekniku Kërçova e ka ndarë grupin në dy pjesë, duke zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli brenda skuadrës. Në përfundim të seancës trajneri i Kombëtares U-16 ka falënderuar djemtë për impenjimin e tyre dhe iu ka dhënë këshilla se si ata duhet të punojnë në klubet e tyre në mënyrë që të jenë vazhdimisht në formë dhe të kenë një zhvillim sa më të mirë në aspektin sportiv.
Ky seleksionim është në vazhdën e përgatitjet të Kombëtares U-16 për ndeshjet e ardhshme miqësore, ku do të jenë impenjuar lojtarët e kësaj grup-moshe. Në vazhdim do të ketë edhe seleksionime apo ndeshje miqësore mes ekipeve Kombëtare të moshave që vazhdojnë punën me talentet kuqezi, duke konsoliduar grupet respektive.