Përzgjedhësi i Kombëtares U19, Ramiz Krasniqi ka folur para garës ndërkombëtare “Roma Caput Mundi”, që zhvillohet në Romë të Italisë, prej 14 deri më 20 maj.
Ai tha se grumbullim i ekipit ka për qëllim komponimin dhe seleksionimin e lojtarëve për këtë garë prestigjioze, në të cilën marrin pjesë 54 shtete.
“Këto janë stërvitje në kontinuitet, rutinë në kuptimin e komponimit dhe koordinimit e një pjesë të madhe të skuadrës, ndërsa një pjesë e vogël prej rreth 20 për qind, janë futbollistë të rinj të cilët do të provohen dhe normalisht do të mundohemi të nxjerrim prej tyre maksimumin dhe të shohim se a mund të jenë pjesë e Kombëtares U19”, tha përzgjedhësi Ramiz Krasniqi.
Ai tha se dyert e Kombëtares janë gjithmonë të hapura për të gjithë futbollistët që janë cilësorë dhe të mirë, deri në ndeshjet kualifikuese në tetor të këtij viti.
Kombëtarja e Kosovës U19, aktualisht është kampion i turneut “Roma Caput Mundi”, ku në shkurt të vitit 2020, në finale e pati mposhtur Moldavinë.