Gjiganti anglez Liverpool ka bërë sot zyrtare që trajneri Jurgen Klopp ka rinovuar kontratën, kështu duke ia besuar të ardhmen e tij klubit.
Rinovimi i kontratës nënkupton që Klopp do të jetë nën udhëheqjen e Liverpoolit deri në vitin 2026, përcjell KosovaPress.
Po ashtu, së bashku me Klopp, kontratat i kanë rinovuar edhe dy pjesëtarët e stafit të tij, Pepijn Lijnders dhe Peter Krawietz.
Tani, pas rinovimit të kontratës Klopp ka reaguar përmes një interviste në faqen zyrtare të Liverpoolit, duke treguar se vendimi për të qëndruar ishte i lehtë dhe se është i dashuruar me gjigantin anglez.
“Kam shumë fjalë që mund t’i përdorë për ta përshkruar këtë moment, i lumtur, falënderues, i bekuar, i privilegjuar dhe i emocionuar sa për fillim. Këtu ka shumë gjëra që i dua për këtë vend. E dija para se të vij këtu ndërsa tani jam më i vetëdijshëm se kurrë”, tha Klopp.
“Nuk mu desh kohë e gjatë që të përgjigjem me sinqeritet, përgjigja ishte e thjeshtë, jam i dashuruar me këtë vend dhe ndjehem mirë”, shtoi më tej trajneri gjerman.
Klopp fitoi Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube dhe Super Kupën e Evropës me Liverpoolin në vitin 2019, përpara se të fitonte titullin e Premier Ligës në 2020.