Kristjan Asllani është autor i një sezoni të shkëlqyer në nivelin më të lartë të futbollit në Itali, Serie A.
Mesfushori shqiptar që aktivizohet në radhët e Empolit, edhe pse pa eksperiencë në elitë, nisur edhe nga mosha 20-vjeçare sërish ia ka dalë të bëjë për vete disa nga klubet më të mëdha italiane. Napoli prej kohësh është në ndjekje të Asllanit, ndërsa sondazhe për lojtarin kuqezi kanë bërë edhe Juventus, Milan e Inter.
Mirëpo, së fundmi është Roma ajo e cila është futur seriozisht në garë për kartonin e Kristjan Asllanit me trajnerin Jose Mourinho që është në kërkim të një mesfushori organizator për sezonin e ardhshëm.
Verdhekuqtë të cilët janë në gjysmëfinalen e Conference League dhe kërkojnë të mbërrijnë në finalen e Tiranës, kanë arkëtuar një sasi të konsiderueshme parash gjatë kësaj kohe nga pjesëmarrja në Europë dhe drejtuesit kanë vendosur t’i shpenzojnë në merkato. Aktualisht, për Asllanin, Empoli kërkon të paktën 10 milionë euro dhe Roma është e gatshme në këtë pikë të përmbushë kërkesën e toskanëve.
Ndërkaq, elozhet për Asllanin nuk janë kursyer as nga trajneri i tij te Empoli, Andreazzoli i cili thekson se mesfushori ka shumë kualitet dhe vizion në këmbët e tij.
“Asllani është i lindur për të qenë kampion, ka kualitet dhe vizion në këmbët e tij. Jam i sigurt për këto fjalë. Është një lojtar që luan me mend në kokë, shumë interesant dhe ne jemi të lumtur për të. Nuk është rastësi që Asllani shpërthen sa herë që i japim mundësinë, edhe kur luan futboll në tavolinë tenisi kërkon gjithnjë të jetë i pari”, u shpreh Andreazzoli.
Kujtojmë se trajneri i kombëtares Edy Reja i dhuroi debutimin Kristjan Asllanit në ndeshjen miqësore të muajit mars ndaj Spanjës.