Ndërlikohet situata

Futboll

Ndërlikohet situata

Më: 30 prill 2022 Në ora: 11:38
Ndërlikohet situata

Gjetja e një sulmuesi për një afat të gjatë mbetet një nga përparësitë e klubit të Barcelonës. E vërtetë është se sulmuesit nuk mungojnë në skuadrën e Ksavit. Ferran Torres, Obamejang, Traore, Luk de Jong, Dembele, Depai, Ansu Fati, të gjithë janë aty, dikush për një kohë të gjatë, dikush deri në mbyllje të sezonit…

Por askush prej tyre nuk është një nëntë perfekte, tip Levandovski, tip Halandi. E teksa për këta dy të fundit gara është bërë shumë e ndërlikuar, Barcelona ka hedhur sytë nga Anglia, ku klubi katalanas ka nisur të mendojë për sulmuesin e Çelsit, Romelu Lukaku. Objektivat e Barcelonë s’janë të qartë, Halandi në plan të parë dhe Leva në plan të dytë.

Por për të mbërritur te sulmuesi norvegjez i Dortmundit dhe ai polak i Bajernit duket vërtetë e vështirë. Halandi duket se e ka marrë vendimin e tij për të shkuar te Mançester Siti edhe pse në lojë është edhe Reali i Madridit.

Jo vetëm kaq, por Barça ka kaluar në vend të katërt në listën e kandidatëve për norvegjezin, sepse në vend të tretë është Bajerni i Mynihut.

Barcelona nuk mund të konkurrojë ekonomikisht këto tri klube dhe në më shumë se një rast presidenti Laporta e ka përsëritur se nuk do të bëjë asnjë çmenduri që do të vinte në rrezik financat e klubit.

Por edhe situata me Levandovskin është ndërlikuar në orët e fundit. Bajerni ka qenë i prerë në qëndrimin e tij.

Nga njëra anë klubi bavarez po përpiqet të rinovojë me polakun. Nga ana tjetër Bajerni ia ka bërë të qartë Barçës se Levandovski nuk do të shitet në verë dhe do të zgjedhë ta humbasë me parametra zero verën e vitit 2023.

E gjendur në këtë situatë jo fort komode, Barcelona ka vendosur të përpilojë një plan C dhe në skenë është shfaqur emri i Romelu Lukakut.

Te Barcelona e kanë të qartë situatën e belgut dhe sipas “Marca”-s, drejtori Alemani si dhe Zhordi Krojf janë takuar me përfaqësuesin e lojtarit Federiko Pastorelo për të parë mundësinë e afrimit të tij në “Camp Nou” edhe pse nuk do të jetë shumë e lehtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat