Komisioni i Përhershëm i Mjekësisë Sportive, i ngritur me vendim të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së ka zhvilluar mbledhjen e parë që pas krijimit të tij. Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Komisionit, Gjergji Petro dhe dy anëtarët, doktor Dritan Todhe dhe fizioterapisti Arjan Llaperi.
Detyra e këtij komisioni është që të krijojë dhe monitorojë strategjinë e zhvillimit të mjekësisë sportive në Shqipëri, duke u fokusuar në nevojën e vazhdimit të proceseve të edukimit të profesionistëve të fushës, standardizimin e stërvitjeve sportive me qëllim parandalimin e traumave dhe hartimin e programeve të mjekësisë sportive sipas modeleve më të mira të UEFA-s dhe FIFA-s.
Prej kohësh, Federata Shqiptare e Futbollit e ka përfshirë në prioritetet e veta Mjekësinë Sportive dhe arritjen e shpejtë të standardeve më të larta në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit.
Anëtarët e komisionit vlerësuan faktin se FSHF është duke punuar me të gjithë faktorët që janë të rëndësishëm në këtë proces, duke përfshirë të gjithë mjekët e klubeve, universitetet, organizmat spitalor shtetëror dhe privat si dhe federatat e tjera sportive në vend. Në këtë drejtim, gjatë mbledhjes u theksua se duhet punuar me të gjitha klubet dhe ekipet zinxhir të moshave që të kenë në stafet e tyre mjekë sportivë dhe të vlerësojnë siç duhet këtë hallkë të rëndësishme për një klub futbolli.
Gjithashtu, u diskutua edhe rëndësia e angazhimit të sa më shumë mjekëve të rinj në sport dhe vijimi i ofrimit të trajnimeve të mirëfillta me ekspertë vendas dhe të huaj për ta bërë futbollin më tërheqës për profesionistët e fushës.