PSV Eindhoven mban të hapur çështjen e titullit kampion në Eredivise. “Bardhekuqtë” kryen me sukses formalitetin e radhës, ku triumfuan 4-2 ndaj Willem II.
Të besuarit e Roger Schmidt e nisën takimin me mobilizimin maksimal dhe gjetën rrugën e rrjetës shumë shpejt pas vetëm dy minutash lojë me autor Ritsi Doan. Të nxitur nga entuziazmi i publikut të tyre në ‘Philips Stadion’, PSV realizoi dhe golin e dytë në të 31′ minutë. Cody Gapko finalizoi mjaft mirë me kokë një harkim perfekt të Mauro Junior, ndërkohë që reagimi i miqve erdhi në minutën e 44′, ku Nunnely ndëshkoi për të parën herë me kokë portierin Mvogo.
Atëherë kur u duk se erdhi fundi i pjesës së parë, skuadra e Roger Schmidt rimori avantazhin e dyfishtë nëpërmjet Eran Zahavit, që përfitoi maksimalisht nga një pakujdesi e mbrojtjes së Willem.
Në fillimin e fraksionit të dytë, Kabangu rihapi sërish takimin në rezultatin 3-2, një finalizim që krijoi iluzionin se PSV Eindhoven do të përndiqej nga hijet e ndeshjes së fazës së parë mes skuadrave kur Willem fitonte 2-1, por kësaj radhe PSV administroi mjaft mirë sfidën dhe u ndihmuan në të 60′ për të vulosur fatet e sfidës, kur Dammers realizoi një autogol për të fiksuar shifrat përfundimtare në 4-2.
Në këtë mënyrë, PSV ruan hapin e Ajaxit kryesues duke e ngushtuar diferencën sërish në katër pikë dhe duke lënë gjithcka për t’u luajtur në javët në vijim.