Eintrachti i Frankfurtit ia doli të triumfojë 1-2 në transfertën ndaj West Hamit dhe do t’i duhet të mbrojë këtë avantazh mbrëmjen e sotme në shtëpi, për të siguruar kalimin në finalen e Europa League, që këtë sezon do të luhet në Sevilje.
Megjithatë përveç ndeshjes në fushë, ka nisur edhe një tjetër në rrugët e qytetit, këtë herë mes dy tifozërive, që pavarësisht masave të marra nga policia gjermane, ia kanë dalë të gjejnë ambientet për “të larë hesapet” mes tyre.
Kështu një përplasje mes tyre është regjistruar në orët e mbrëmjes së të mërkurës, teksa sipas mediave gjermane, të paktën 4 tifozë të West Hamit kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për të marrë ndihmën mjekësore.
Më herët policia gjermane njoftoi një plan masash të rrepta, me patrullim në çdo rrugicë të qytetit, pasi parashikimet janë për shumë tifozë anglezë pa biletë, të cilët mund të përfshihen në përplasje me vendasit.