Roma dhe Leiçesteri u përballën mbrëmjen e djeshme në gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Konferencës. Në stadium ishte i pranishëm edhe një personalitet i futbolit italian dhe europian. Bëhet fjalë për Klaudio Ranierin.
70-vjeçari ndan një të shkuar me të dyja skuadrat. Trajneri italian ka zhvilluar karrierën e tij si futbollist në klubin e Romës, të cilin edhe e ka drejtuar si trajner. Ndërkohë, Ranieri është një emër shumë i dashur edhe për Leiçesterin. Në sezonin 2015/16 tekniku italian bëri mrekullinë në Angli, ku fitoi titullin kampion me “dhelprat”, duke shkruar kështu faqen më të ndritur në historinë e këtij klubi.
Sigurisht që kontributi i dhënë prej tij nuk ka kaluar pa u vlerësuar nga tifozët. Klaudio Ranieri ka bërë bashkë për një moment të dyja tifozeritë, teksa i gjithë “Olimpiko” është ngritur në këmbë për ta duartrokitur.
Një gjest i tillë ka prekur tej mase 70-vjeçarin, i cili i përlotur ngrihet dhe falenderon tifozët për respektin e treguar.