Shtatë ndeshje pa fitore dhe dy disfata radhazi, kanë bërë që Kukësi të humbasë të paktën për momentin vendin e tretë që i kualifikon në Kupat e Europës. Megjithatë, distanca prej tre pikësh me Partizanin është e rikuperueshme kur kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fundin e kampionatit. Në ndeshjes e javës së 33-të, verilindorët përballen me një kundërshtar që gjithashtu synon Europën si Vllaznia dhe që për më tepër është me pikë të barabarta me to.
Në këtë sfidë, Kukësi mund t’i gëzohet dy rikthimeve të mëdha siç janë Vasil Shkurtaj dhe Angelo Tafas që ishin të dëmtuar dhe për disa javë u detyruan të qëndronin larg skuadrës.
Tashmë, tekniku italian i Kukësit do të ketë dy alternativa të vlefshme, sidomos në repartin e avancuar pasi golat do t’i duhen skuadrës për të rimarrë vendin e tretë.
Megjithatë, në kampin e Kukësit nuk ka vetëm lajme të mira pasi për ndeshjen ndaj shkodranëve nuk mund të aktivizohen Edison Ndreca e Pablo De Lucas. I pari ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë ndërsa spanjolli u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Partizanit.