Te Bayern Munich nuk ka kohë për pushime. Bavarezët, pasi siguruan titullin kampion, po përgatiten për transferimin e parë të merkatos së verës edhe pse deri atëherë duhen ende disa ditë.
Mediat gjermane bëjnë me dije se, bavarezët janë një hap larg firmës me mbrojtësin e Ajax, Noussair Mazraoui. Marokeni, i ndjekur me kujdes nga shumë klube, duket se në fund i ka “shkelur” syrin kampionëve të Gjermanisë.
Mediat raportojnë se 24-vjeçari ka kryer edhe testet mjekësore dhe klubi bavarez ka gati termat e kontratës.
Mbrojtësi pritet të firmosë shumë shpejt një kontratë 5-vjeçare dhe do të përfitojë 8 milionë euro (bruto), pagë kjo e cila mund të rritet në bazë të performancës.
Marokeni në këtë sezon numëron 23 ndeshje në Eredivise, dhe ka marrë pjesë në 7 gola, me 5 finalizime personale dhe 2 asiste, ndërsa luan në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke shtuar kështu konkurrencën në Bavari, pasi Bayern disponon gjithashtu emra si Pavard dhe Hernandez në këtë pozicion.