Fundi i sezonit është në horizont dhe tashmë afrohet dhe momenti për të bërë analizat e këtij edicioni në kontinentin e vjetër.
Por, kush është “adoleshenti” golashënues më i mirë në Europë, në pesë ligat kryesore për sezonin 2021-2022 për momentin?
Nëse nuk i keni kushtuar vëmendje të veçantë futbollit francez këtë sezon, nuk është një pyetje e lehtë për t’u përgjigjur.
Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Elye Wahi, sulmuesi i Montpellier, i cili deri më tani ka shënuar 10 gola në 33 ndeshje.
Megjithatë një vështrim më i afërt i statistikave të tij sugjeron se 19-vjeçari ka potencialin e duhur të bëhet një emër shumë i njohur në harkun e pak viteve.
Wahi jo vetëm që është lojtari më i ri në historinë e Montpellier-it që arrin shifra të dyfishta (10 gola) në një sezon të vetëm, por ai renditet i treti për sa i përket të qenit lojtari më i ri që ka shënuar një total të tillë në Ligue 1. Talenti francez renditet pas Kylian Mbappe dhe Ousmane Dembele, ndërsa me golin e shënuar në ditën e parë te majit kundër Metz, ka parakaluar legjendën franceze, Thierry Henry.
Montpellier e kuptoi shpejt potencialin e lojtarit dhe rinovoi kontratën në mars të këtij viti, por me shumë mundësi, sezoni ardhshëm do ta gjejë talentin jo vetëm larg Montpellier, por ndoshta edhe në një kampionat tjetër.