Partizani doli pa pikë nga derbi me Tiranën, që e humbi 1-2. Bardheblutë festuan titullin e 26-të. Trajneri i “Demave”, Dritan Mehmeti nuk e fshehu zhgënjimin në “Gol pas Goli” në Supersport, duke deklaruar se ekipit të tij I mungon një penallti e pastër.
“Ishim shumë më superior deri në momentin e golit. Kishim një mundësi edhe me Carën. Duhet të ishim me më këmbë në tokë dhe të kujdesshëm, gabuam shumë individualisht. Është e pafalshme. Duhet të ishim shumë më tepër të përqendruar, por janë ndeshje që lojtarët i përjetojnë emocionalisht dhe bëjnë gabime.
Kush na dhemb më shumë? Më hidhëron momenti që nuk jepet penallti për Partizanin. E anuloi VAR-i, por kishte kontakt. Festa e të tjerëve nuk më intereson.
Kur arbitri i fushës ndërhyn për penallti dhe ka kontakt, s’ka pse futet VAR-i. Gjuri i majtë i Hoxhallarit prek takën e Skukës. Është penallti. Është kontakt që prish ekuilibrin. Penallti e pastër, nuk ka protestuar fare Hoxhallari.
Rrapaj? Ai ka qenë i ngarkuar, ka pasur edhe dëmtim. I bëra ato lëvizje për t’i future fantazi skuadrës. Por, goli i dytë na dëmtoi psikologjikisht”, deklaroi trajneri i Partizanit.