Mes yjeve që mund t’i thonë lamtumirë Parisit këtë verë është edhe mesfushori argjentinas, Leandro Paredes, kontrata e të cilit skadon në vitin 2023.
Për të mos rrezikuar që ta humbasin lojtarin me kosto zero vitin tjetër, PSG mund të vendosë ta shesë këtë verë 27-vjeçarin, i cili ka rrëfyer: “Do të më pëlqente të luaja te Real Madrid”.
Mesfushori, i cili e ka mbyllur sezonin e tij në prill për shkak të një dëmtimi, e imagjinon veten në Santiago Bernabeu në një të ardhme të afërt.
“Çdo lojtar ëndërron të veshë fanellën e Real-it”, ka thënë Paredes në një intervistë të dhënë për median argjentinase “TyC Sports”.
“Është një klub shumë i rëndësishëm, edhe pse kam shumë respekt për Paris Saint-Germain dhe jam shumë i lumtur këtu në Paris”.
Në fund, mesfushori argjentinas nuk e ka përjashtuar edhe kthimin në atdhe në një të ardhme: “Do të më pëlqente të kthehesha te Boca. Ajo që duhet të ndodhë do të ndodhë, duhet jetuar jeta”.