Reali është “mbreti” i përmbysjeve

Futboll

Reali është “mbreti” i përmbysjeve

Më: 8 maj 2022 Në ora: 15:38
Reali është “mbreti” i përmbysjeve

Reali është kualifikuar të mërkurën në mbrëmje në finalen e Ligës së Kampioneve, ku më 28 maj do të përballet me Liverpulin në Paris. “Los Blancos” kanë realizuar një përmbysje epike, por që nuk ka qenë e para në këtë sezon të gjatë, por të shkëlqyer për madrilenët.

Trajneri Ançeloti, pas suksesit ndaj Sitit, deklaroi se u kishte treguar lojtarëve të tij një video me tetë përmbysjet e mëdha të Realit në këtë sezon. Por gazeta “Mundo Deportivo” e ka çuar në dhjetë numrin e përmbysjeve të “Los Blancos” në këtë sezon, duke nisur nga 12 shtatori i vitit të kaluar në suksesin 5-2 kundër Selta Vigos.

Ishte takimi i parë me tifozë në “Bernabeu” që pas pandemisë. Selta komandonte në pushimin mes dy pjesëve 1-2, por në fund Reali përmbyste gjithçka 5-2. Të njëjtën gjë Reali bëri ndaj Seltës edhe në takimin e fazës së dytë, teksa fitonte 2-1 pasi gjendej në disavantazh.

Pas suksesit në Ligën e Kampioneve kundër Interit, Reali udhëtonte në javën e pestë në Valencia, një fushë aspak miqësore. Madrilenët ndodheshin në disavantazh 0- 1, por dy gola të Viniciusit e Benzemasë në harkun e dy minutave (86’, 88’) i jepnin fitoren skuadrës së Ançelotit. Përmbysja e radhës do të vinte në javën e 15-të, teksa Reali përballej me Seviljen, që cilësohej si rivali numër një për titullin kampion.

Madrilenët gjendeshin në disavantazh 0-1, por Benzema barazonte shifrat, përpara se Vinicius tri minuta nga fundi i jepte fitoren skuadrës së Ançelotit. Edhe më spektakolare do të ishte përmbysja e dytë e Realit përballë Seviljes. Më 17 prill Reali luante një copë të madhe të titullit kundër Seviljes dhe në pjesën e parë mundej me dy gola.

Por pas një pjese të dytë të çmendur, madrilenët përmbysnin gjithçka, me kapitenin Benzema që shënonte në minutën e fundit, duke i vënë në njëfarë mënyre kapakun dhe kampionatit. Përmbysjen e Realit e provoi dhe Barcelona, në Superkupën e Spanjës. Në fakt, ishin madrilenët që kaluan dy herë në epërsi për t’u arritur dy herë nga Barça, para se Valverde (98’) t’i siguronte finalen Madridit. Në Kupën e Mbretit, Reali eliminonte Elçen me përmbysje në 1/8 e finaleve. Të tre golat u realizuan në shtesë, ku Isko (108’) dhe Hazard (115’) neutralizonin golin e Verdu (103’).

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat