Skuadra shqiptare, Voska Sport nga Ohri, ka regjistruar fitore me rezultat 3:0 përballë Besës nga Dobërdolli në ndeshjen e fundit si vendas për edicionin 2021/2022 të Ligës së Dytë të Maqedonisë së Veriut në futboll, i cili mund të konsiderohet si shumë i suksesshëm, pasi me këtë fitore janë në rrugën e duhur për të siguruar pozitën e dytë, përmes së cilës do të luanin në ndeshjen e balotazhit, që në program do të jetë me 22 maj.
“Fitore me aromë elite!
Sa i përket takimit kundër skuadrës nga Dobërdolli, ekipi ynë në asnjë moment nuk e vuri në dyshim fitoren, të cilën e siguruam thuaje që në pjesën e parë, kur në pushim shkuam me rezultatin 2:0.
Argjent Gafuri në minutën e 21-të morri përgjegjësinë për të ekzekutuar një 11-të metërsh, mirëpo goditjen e tij e ndali portieri mysafir, që më pas në vazhdim të aksionit të njëjtë, pas ekzekutimit të rivënies nga këndi, Lupçe Trpeski me kokë të shënojë për 1:0.
Goli i dytë mban firmën e Mihajllo Jakimoskit, i cili u gjind mjaft mirë para zonës kundërshtare në momentet e fundit të pjesës së parë, kur edhe shënoi për 2:0.
Ky rezultat bëri që Voska Sport të administroi me shumë qetësi edhe pjesën e dytë, në të cilën realizuam edhe një gol tjetër, këtë herë me anë të rezervistit, Emir Aliu.
Ishte kjo fitorja e 18-të sezonale për skuadrën e Voska Sport në 26 javë kampionat, me ç’rast vazhdojmë të ruajmë pozitën e dytë me 58 pikë, 7 më pak se Sileksi i vendit të parë dhe 3 më shumë se ndjekësi më i afërt, Vardari.
Ndeshjen e fundit të këtij edicioni, do ta zhvillojmë javën që vjen kundër Sileksit në Kratovë, ku me një barazim eventual, do të siguronim pozitën e dytë në renditje”, shkruan në faqen e klubit Voska.