Gabriel Jesus nuk ka qenë një zgjedhje e përhershme në formacionin e Pep Guardiolës te Manchester City i këtij sezoni. Sulmuesi që gjithsesi ia ka dalë të shënojë tetë gola dhe të asistojë në tetë raste të tjera, ka mbetur i zhgënjyer nga trajtimi i teknikut spanjoll dhe kur i kanë mbetur edhe dy vite kontratë me The Citizens ka vendosur të mos rinovojë ndërsa në sezonin pasardhës do të përfaqësojë një tjetër fanellë.
Sigurisht, në vendimin e Jesus ndikon edhe fakti se në sezonin pasardhës në radhët e Manchester City do të luajë Erling Haaland me norvegjezin që do të zvogëlonte ndjeshëm hapësirat për brazilianin. Ndërkaq, agjenti i 25-vjeçarit, Marcelo Pettinati ka theksuar Jesus ka marrë një ofertë nga Arsenal, por të interesuar për shërbimet e sulmuesit janë edhe gjashtë klube të tjera.
“Kemi diksutuar me Arsenalin sa i përket Gabriel Jesus dhe të themi të drejtën na pëlqen projekti i tyre.
Është një alternativë serioze dhe po e marrim në konsideratë, por duhet theksuar se për shërbimet e Jesus janë të interesuara edhe gjashtë klube të tjera.
Megjithatë, Jesus për momentin është i fokusuar vetëm të mbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin me Manchester City dhe më pas të shohim si do të rrjedhin ngjarjet”, u shpreh Pettinati.