Milani mund të shpallet kampion i Italisë që në ndeshjen ndaj Atalantës, e programuar për tu zhvilluar nesër në orën 18:00, në stadiumin “San Siro”.
Kuqezinjtë mund të “kurorëzohen” kampionë që nesër nëse fitojnë me bergamaskët dhe Interi ndalet kundër Kaljarit në Sardenja.
Me siguri Milani pas kampionatit me ose pa titullin do të ketë një revolucion në skuadër.
Dy janë thuajse të larguar si Fronk Kesi dhe kapiteni, Alesio Romanjoli, të cilët e kanë shprehur prej kohësh që nuk duan të vazhdojnë më karrierën në Milano.
Më pas vjen Samu Kastijeho, i cili prej kohësh e sheh veten ose në stol ose në tribunë.
Zhunior Mesias, i cili ishte një zbulim për kuqezinjtë kur e morën si të panjohur nga Krotone, me shumë mundësi do të jetë i larguari i radhës nga “Milanello”.
Timue Bakajoko mund të jetë “divorci” tjetër, ku u rikthye te Milani për t’i dhënë një dorë mesfushës falë aftësive të tij fizike, por prej shumë kohësh ndodhet jashtë planeve të Stefano Piolit.
Në dyshim është e ardhmja e Brahim Diazit, i cili gjithmonë sa herë është thirrur ka shkëlqyer me paraqitjet e tij.
I fundit është Balo-Ture, i cili është një ndër blerjet e dështuara të “Djallit” në këtë sezon.