Dita e martë do të jetë e veçantë për tre futbollistët e përfaqësueses shqiptare të futbollit: Ardian Ismajli, Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani.
Ata do të luajnë një ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së Ukrainës, por duke veshur fanellën e Empolit.
Meqë Ukraina po përgatit ndeshjet e play-off të Botërorit si dhe të Ligës së Kombeve, ajo ka grumbulluar në Itali lojtarët që aktivizohen në kampionatin e saj të pezulluar apo ata që kanë mbaruar kampionatet përkatëse.
Si pjesë e përgatitjeve, ata kanë vendosur të bëjnë disa miqësore me skuadrat italiane dhe një ftesë ia kanë dërguar edhe klubit të Empolit.
Ky i fundit ka pranuar menjëherë meqë e ka mbyllur çështjen e mbijetesës dhe të martën, do të luajë në stadiumin e tij një ndeshje miqësore e cila ka si qëllim edhe të sigurojë të ardhura të cilat më pas të dërgohen në ndihmë të shtetit ukrainas që po përballet me vështirësi të mëdha si pasojë e agresionit rus.