Mbrëmja e së shtunës ka dhuruar festë për Qazim Laçin dhe skuadrën e tij, Ajaccio. Këta të fundit siguruan ngjitjen në Ligue 1, në ndeshjen e fundit të sezonit teksa mposhtën me rezultatin 1-0 kryesuesit e kampionatit, Toulouse.
Falë këtij trepikëshi, Ajaccio siguroi vendin e dytë të klasifikimit dhe sezonin tjetër do të sfidojë gjigantët e elitës si PSG, Lyon, Marseille apo Monaco.
Në sfidën ndaj, Toulouse, mesfushori i kombëtares ishte titullar për 90 minuta, ndërsa në këtë sezon 26-vjeçari ka qenë një ndër lojtarët thelbësorë të skuadrës franceze.
Mesfushori numëron 34 ndeshje në këtë sezon ndërsa ka shënuar edhe tre gola e ka dhuruar një asist për shokët e ekipit.
Ndërkohë, ngjitja në Ligue 1 është një arritje e madhe edhe për karrierën personale të Qazim Laçit, i cili kurrë më parë nuk kishte mbërritur në një nivel të tillë ndërsa tashmë do të ketë një vëmendje ekstra në paraqitjet e tij.