Problemet financiare vijojnë të jenë një shqetësim madhor për drejtuesit e Barcelonës me këta të fundit që duket se në merkaton e verës janë të detyruar të heqin dorë nga një prej yjeve të skuadrës.
Fjala është për Frenkie De Jong, me mesfushorin që ka kërkesa ndërsa një nga klubet që e ka bërë të qartë dëshirën për të transferuar holandezin është Manchester United.
“Djajtë e Kuq” janë të gatshëm të ofrojnë deri në 65 milionë paund për futbollistin të shtyrë edhe nga trajneri i sapoemëruar, Erik Ten Hag. Tekniku holandez ka punuar me De Jong tek Ajax dhe i njeh mirë cilësitë e mesfushorit. Por, nëse Barcelona është e kënaqur nga oferta financiare e anglezëve, ai që i prish punë United është vetë De Jong.
Sipas shtypit britanik, De Jong kërkon një transferim në Manchester, por në pjesën blu të qytetit, pasi dëshira e tij është të punojë me Pep Guardiolën te Manchester Cityn. The Citizens do të humbasin Fernandinhon në fundin e këtij sezoni dhe trajneri spanjoll ka dhënë miratimin për nisur negociatat me mesfushorin, ndërsa paratë nuk janë problem për drejtuesit e City.
Në këtë formë, De Jong “injoron” United por edhe ish-trajnerin e tij Ten Hag, teksa City nga ana tjetër, pas firmës me Erling Haaland është afër nënshkrimit me një tjetër element të kalibrit botëror.