Zgjedhja e Daniele Orsatos si arbitër për Milan – Atalanta ka ngjallur habi në klubin kuqezi.
Në mënyrë jozyrtare bëhet e ditur pakënaqësia e drejtuesve për përcaktimin e 46-vjeçarit pas atyre që kanë ndodhur gjatë sezonit në sfidat e “Djallit” me Napolin, Specian apo Udinezen. Megjithatë, burime pranë shoqatës së arbitrave konfirmojnë se përzgjedhja e tij mund të jetë fryt i emergjencës për dikë që jep garanci në radhët e Shoqatës së Arbitrave Italianë.
Një ndeshje si ajo mes Milanit dhe Atalantës nuk mund t’i besohej një të riu.
Davide Masa po kalon një moment delikat me kuqezinjtë pas golit të anuluar në ndeshjen Milan – Napoli ku anuloi golin e Kesit për një pozicion jashtë loje të diskutueshëm të Zhirusë që ishte i shtrirë në tokë. Daniele Doveri, që mund të ishte pranuar nga kuqezinjtë, iu përcaktua Interit pikërisht për të shmangur dy ndeshje radhazi të Milanit.