Ditën e diel ai shijoi trofeun e kampionit me FC Shkupi, por Fatih Ismaili nuk do t’i përjetojë emocionet e kualifikueseve të ligës së kampionëve evropian.
Njëri nga kapitenët e FC Shkupi pas gjashtë vitesh qëndrimi në këtë klub ka vendosur të largohet nga skuadra çairase.
24 vjeçari për Open-TV tregon se i vjen keq për largimin, duke treguar arsyet e ndarjes.
“Po më vje shumë keq, por ky është vendimi përfundimtar. Por largohem për shkak të raporteve jo të mira me kryetarin e klubit. FC Shkupit i uroj suksese në arenën europiane. Jam i lumtur për vitet që kalova këtu dhe që në fund arritëm të shpallemi kampion, pas 21 vitesh”, deklaron Ismaili dhe shtoi:
“Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën, pas atyre shumë viteve trofeu i kampionit u rikthye në Çair dhe unë të jem kapiten i kësaj ekipe. Ishte ndjenjë e vecaantë. Atmosfera si gjithmonë në Çair nuk ka munguar, kurse ditën e diel ishte dicka fantastike. Faleminderit Shvercerave”, shtoi ai.
Ismaili trofeun e kampionit ia dedikon të gjithë shkupjanëve.
“Unë i falënderoj të gjithë lojtarët, trajnerët që kemi qenë bashkë në këtë rrugëtim, ndërsa trofeun ia dedikoj të gjithë shkupjanëve”, përfundoi Fatih Ismaili.