Dinamo do të rikthehet të luajë në “Selman Stërmasi” ndaj Tiranës, por në rolin e skuadrës pritëse. Dy skuadrat e kryeqytetit do të përballen për raundin e 35-të të Abissnet Superiore, ndërsa kjo do të jetë hera e parë që “Nëndetësja Blu” luan në “Selman Stërmasi” gjatë këtij edicioni ose thënë ndryshe që nga rikthimi në elitën e futbollit shqiptar.
Deri në këto momente Dinamo i ka zhvilluar pjesën më të madhe të takimeve si pritëse në “Elbasan Arena”, kjo edhe për faktin se stadiumi i klubit të Tiranës ka qenë në rikonstruksion e sipër në një pjesë të madhe të sezonit, duke bërë që edhe “bardheblutë” t’i zhvillonin një pjesë të mirë të ndeshjeve larg shtëpisë së tyre.
Dy skuadrat e kryeqytetit vijnë në këtë derbi të fundit mes tyre në këtë edicion, por i fundit në kampionat edhe për sezonin tjetër, pasi në ndryshim nga Tirana që siguroi para dy javësh titullin kampion, Dinamo është zyrtarisht i rënë nga kategoria.
Derbi Dinamo-Tirana do të luhet këtë të shtunë dhe sfida do të nisë në orën 17:00, teksa duke ditur që asnjëra prej dy skuadrave nuk ka tashmë një objektiv për të kërkuar tre pikët, nga të dyja pritet të luhet vetëm për të respektuar kampionatin.