William Saliba raportohet se nuk dëshiron që të rikthehet te Arsenali.
Qendërmbrojtësi nënshkroi me londinezët në verën e vitit 2019, por nuk bëri asnjë paraqitje zyrtare për skuadrën.
Saliba këtë sezon e kaloi si i huazuar te Marseille, teksa në dy sezonet e kaluara ishte i huazuar te Saint-Etienne dhe Nice.
Sipas “RMC Sport”, 21-vjeçari ia ka bërë të qartë krerëve të klubit francez se e dëshiron qëndrimin në “Velodrome”.
Edhe trajneri i Marseilles, Jorge Sampaoli, raportohet se e ka bërë prioritet nënshkrimin me Saliban.
Sampaoli thuhet se ka kërkuar nga krerët e klubit që të blejnë kartonin e lojtarit të Arsenalit.
Nuk përjashtohet marrëveshja e huazimit të tij edhe për sezonin e ardhshëm, por që të përfshihet opsioni ose detyrimi i blerjes përfundimtare të tij në verën e vitit të ardhshëm.
William Saliba ka kontratë të vlefshme me Arsenalin deri më 30 qershor 2024.