Një tragjedi sportive. Kështu mund të cilësohet ajo që ka përjetuar Shkëlzen Gashi dhe shokët e tij të skuadrës së Aarau në Zvicër.
Ekipi i cili kishte dominuar këtë vit kategorinë e dytë në Zvicër, në mënyrë të pabesueshme ka shkatërruar gjithçka me ndeshjen e fundit në shtëpi, duke u munduar e duke kaluar nga vendi i parë në të tretin për golavarazh e kështu duke mbetur jashtë zonës së ngjitjes.
Arau i nevojitej një pikë për të qenë i sigurt për vendin e parë dhe për ngjitjen matematikore në elitën e futbollit zviceran në sezonin e ardhshëm. Por në mënyrë të papritur, Vaduz shënoi dy herë në ndeshjen e fundit të sezonit, duke ngrirë tifozët e pranishëm që kishin shkuar për festë.
Trajneri i Aarau aktivizoi Gashin në minutat e fundit dhe ky kishte kohën që të shënonte nga pika e bardhë e penalltisë për të shkurtuar diferencën.
Por as ai dhe as shokët e skuadrës nuk gjetën golin e barazimit dhe ndeshja e festës u kthye në një makth. Vintertur dhe Shafhauzen fituan duke e arritur ne kuoten e 65 pikëve, duke bërë që kampionati të vendosej nga golavarazhi.
Winterttur kishte bilancin më të mirë e siguroi ngjitjen direkte, me Schafshausen që do të shkojë në play-off.
Ndërsa Aarau, në mënyrë të pabesueshme përfundoi në vendin e tretë dhe do të vazhdojë të qëndrojë në kategorinë e dytë zvicerane.