Trofeu i Conference League mbërriti në Tiranë dhe paraditen e sotme është ekspozuar në sheshin Skënderbej, në një ceremoni ku morën pjesë kreu i FSHF-së, Armand Duka, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i finales, legjenda e futbollit shqiptar, Lorik Cana.
Në studion e SuperSport, në sheshin Skënderbej, u bashkua për të ndarë emocionet e tij edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili zbuloi detaje nga organizimi dhe theksoi se është krenar që Tirana po bëhet gjithmonë e më shumë destinacion për europianët.
“Bashkëpunimi ka qenë perfekt me FSHF-në, qeverinë, policinë, por edhe kompanitë e logjistikës, pasi tashmë në Tiranë ka shumë aktivitete dhe është dashur një punë shumë e madhe për të përgatitur sheshin.
Më vjen mirë që Tirana është futur tashmë në hartën e destinacioneve për qytetarët europianë dhe është momenti që të tregojmë virtytin tonë më të mirë mikpritjen.
Unë si kryetar bashkie ndihem shumë mirë pasi shoh që qyteti gjallërohet gjithnjë e më shumë, bizneseve u shtohet puna dhe ekonomia rritet. Nuk është vetëm kjo finale, pasi kemi edhe një sërë aktivitetesh të tjera në ditët në vijim, që rritin gjithnjë e më shumë vëmendjen ndaj Tiranës.
Do të jenë ditë të ngarkuara, por kemi marrë të gjithë masat që gjithçka të shkojë në perfeksion. Unë nuk mund të them me kë jam tifoz, por natyrisht për vetë afërsinë që kemi me Italinë dhe për faktin që kemi edhe Kumbullën aty, do të doja që të festonin verdhekuqtë”, tha ndër të tjera kryetari i bashkisë.