Rreth 80 tifozë që kishin mbërritur në Tiranë për të parë ndeshjen finale të “Europa Conference League janë duke u kthyer andej nga erdhën! Kjo për shkak të trazirave dhe dhunës së ushtruar mbrëmjen e të martës.
Burime konfidenciale thanë për “Panorama.al” se Policia ka shoqëruar dy autobusë të mbushur me rreth 80 tifozë drejt Portit të Durrësit. Ata janë larguar nga Tirana në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe nuk do të lejohen për të parë ndeshjen që do të zhvillohet mbrëmjen e 25 majit në stadiumin “Air Albania”.
Tirana mbrëmjen e të martës u kthye në një fushë betejë mes tifozërisë Feyenoord dhe Romës, ku ka pasur edhe plagosje të punonjësve të policisë.
Në një reagim në orët e vona, policia sqaroi se tifozët e skuadrës Feyenoord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.
Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, mbetën të plagosur 10 punonjës Policie dhe u dëmtua një automjet policie.
Po ashtu u shoqëruan në ambientet e Policisë 60 shtetas nga grupet e tifozëve të dyja skuadrave, 48 shtetas italian dhe 12 shtetas holandez.
Normaliteti u kthye në kryeqytet në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, pas ngjarjeve të mbrëmshme me tifozët që mbërrijnë sot më të shumtë në kryeqytetin shqiptar për të qenë të pranishëm për finalen e madhe.