Aston Villa e mbylli sezonin në vend të 14-të në Premier League. Objektivat për sezonin e ri janë më të mëdha dhe drejtuesit e klubit nga Birmingemi kanë zyrtarizuar një afrim shumë cilësorë në mbrojtje.
Me anë të një postimi në Twitter, Aston Villa lajmëron blerjen e Diego Carlos nga Sevilla. 29-vjeçari, i cili është grumbulluar nga kombëtarja braziliane por nuk ka debutuar ende, ka kushtuar 26 milionë paund.
Në garë për shërbimet e qendërmbrojtësit potent ishte edhe Newcastle. “Qymyrxhinjtë” e tentuan në merkaton e janarit, por Sevilla kërkoi 38 milionë paund për ta lënë të lirë. Diego Carlos është përforcimi i dytë për sezonin e ri për ekipin e Steven Gerrard.
Pak ditë më parë, Aston Villa firmosi për pesë vite me mesfushorin defensiv Boubacar Kamara. 22-vjeçari do të transferohet në Premier League me parametra zero nga francezët e Marseille.
Diego Carlos ishte pjesë e Sevillas prej verës së vitit 2019. Ai e veshi 136 herë fanellën e skuadrës spanjolle, me të cilën fitoi Europa League në sezonin 2019-2020.